Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) zhvilloi një takim pune me ofruesit e shërbimit postar, ku në fokus ishte adresimi i sfidave aktuale të tregut dhe përcaktimin e masave konkrete për rritjen e transparencës, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe nxitjen e konkurrencës efektive në sektorin postar.
AKEP u përfaqësua nga Kryetari i Autoritetit, z. Gentian Sala, Anëtari i Këshillit Drejtues, z. Bleron Dokle, Drejtore e Kabinetit, znj. Sara Xhumbari, si dhe Drejtori i Drejtorisë Rregullatore dhe Mbikëqyrjes së Tregut z. Gazmir Mani.
Në takim morën pjesë përfaqësues të nivelit më të lartë drejtues të operatorëve postarë, përfshirë administratorë, përfaqësues ligjorë dhe ekspertë teknikë.
Në fjalën e hapjes, Kryetari i AKEP, z. Gentian Sala, evidentoi zhvillimet e arritura në sektorin postar gjatë viteve të fundit, por theksoi se mbeten ende sfida serioze që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për të siguruar standarde më të larta shërbimi.
Gjatë diskutimeve u evidentua se sektori vijon të përballet me shqetësime dhe problematika të rëndësishme, të cilat kërkojnë adresim të menjëhershëm si:
- ofrimi i shërbimeve postare në mënyrë informale dhe pa autorizimin përkatës nga AKEP, e cila përbën një rrezik serioz për tregun, konkurrencën e ndershme dhe mbrojtjen e konsumatorëve;
- domosdoshmëria e forcimit të kontrolleve ndaj ofruesve të autorizuar, me qëllim garantimin e përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi;
- problematika të përsëritura mbi cilësinë e shërbimit dhe mosrespektimin e standardeve, të cilat shkaktojnë pakënaqësi dhe ankesa nga përdoruesit;
- pasaktësia e adresave dhe e të dhënave shoqëruese të dërgesave vijon të sjellë vonesa dhe problematika në shpërndarje duke dëmtuar besueshmërinë e shërbimit, për të cilën është mjaft e nevojshme krijimi sa më parë i adresarit me adresat e sakta të qytetarëve.
Një ndër pikat thelbësore të diskutimit ishte gjithashtu rëndësia e publikimit të plotë, të saktë dhe të përditësuar të informacionit nga operatorët postarë, në mënyrë që qytetarët të kenë akses në të dhëna transparente e të besueshme, si një e drejtë e garantuar me ligj.
Në mbyllje të takimit, AKEP konfirmoi angazhimin për të forcuar bashkëpunimin me institucionet shtetërore përgjegjëse, si Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Doganave, Policia e Shtetit dhe aktorë të tjerë relevantë të tregut, me synim krijimin e një mjedisi konkurrues, të sigurt dhe transparent në sektorin postar, duke nxitur gjithashtu ndërgjegjësimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve ndaj publikut.




