Në kuadër të zhvillimeve më të fundit në fushën e komunikimeve elektronike dhe teknologjisë digjitale, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) mori pjesë në Mobile World Congress 2026, i cili u zhvillua në datat 2 deri më 5 mars në Fira Gran Via, Barcelonë.
Mobile World Congress konsiderohet një nga aktivitetet më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e komunikimeve elektronike, teknologjisë së informacionit dhe inovacionit digjital.
Aktiviteti u organizua nga GSMA duke mbledhur lider të industrisë globale të telekomunikacioneve, operatorë rrjetesh, prodhues pajisjesh, institucione rregullatore, organizata ndërkombëtare dhe ekspertë të teknologjisë.
Diskutimet dhe prezantimet gjatë kongresit u fokusuan kryesisht në zhvillimin dhe evolucionin e rrjeteve 5G dhe perspektiva e 6G, integrimin e inteligjencës artificiale në menaxhimin dhe optimizimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike, zhvillimin e rrjeteve satelitore dhe Non-Terrestrial Networks (NTN) për zgjerimin e lidhshmërisë globale, sigurinë kibernetike dhe qëndrueshmërinë e infrastrukturave digjitale, transformimin digjital të sektorëve ekonomikë dhe zhvillimin e ekosistemeve të qyteteve inteligjente (smart cities).
Pjesëmarrja në këtë aktivitet ofroi mundësinë për të ndjekur nga afër zhvillimet më të fundit teknologjike dhe rregullatore në sektorin e komunikimeve elektronike, si dhe për të shkëmbyer përvoja me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare që veprojnë në këtë fushë.
Mobile World Congress 2026 shërbeu si një platformë e rëndësishme ndërkombëtare për prezantimin e inovacioneve teknologjike, diskutimin e politikave të ardhshme në sektorin e komunikimeve elektronike dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në nivel global.





