Categories
Njoftime Slideshow

4 Mars 2026 – Zhvillohet Takimi i përbashkët i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP)

Më datë 4 mars 2026, në ambientet e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), u zhvillua një takim i përbashkët pune ndërmjet përfaqësuesve të ARKEP Republika e Kosovës dhe AKEP nga Republika e Shqipërisë.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi mbi ecurinë e zbatimit të marrëveshjes së roamingut ndërmjet dy vendeve dhe adresimi i disa sfidave të përbashkëta që lidhen me qasjen dhe kualitetin e shërbimeve të komunikimeve elektronike për qytetarët gjatë qëndrimit të tyre në roaming.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu mbi hapat e ndërmarra për përgatitjen e akteve të nevojshme rregullatore në kuadër të procesit për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në regjimin “Roam Like at Home” (RLAH) me Bashkimin Evropian.

Një fokus i veçantë i diskutimeve ishte edhe identifikimi i mundësive për optimizimin e mbulimit në zonat kufitare, me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesve, veçanërisht gjatë kalimit në segmentin ndërkufitar midis qytetit të Kukësit dhe Prizrenit.

Gjithashtu, në takim u trajtuan edhe çështje të tjera me interes të përbashkët në fushën e rregullimit të komunikimeve elektronike, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet dy autoriteteve rregullatore për të siguruar shërbime më cilësore dhe më të përballueshme për qytetarët e të dy vendeve.