Kryetari i AKEP-it, Z. Tomi Frashëri, zhvilloi ditën e premte, më 19 prill 2024, një takim dypalësh me Z. Jaroslaw Ponder, Kreun e Zyrës për Europën në Bashkimin Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve (ITU).
Takimi shërbeu për të riafirmuar përkushtimin e ITU-së kundrejt Shqipërisë dhe përkrahjen, nga ana e kësaj agjencie të Kombeve të Bashkuara, të ambicieve të vendit tonë në fushën e komunikimeve elektronike dhe atë të digjitalizimit. Z. Frashëri i shprehu mirënjohjen Z. Ponder, një mik i vjetër i vendit tonë, i cili ka asistuar dhe mbështetur edhe në të kaluarën autoritetin rregullator dhe institucione të tjera shtetërore.
Takimi dypalësh, në të cilin merrnin pjesë edhe Z. Elind Sulmina, Oficer projektesh në ITU Europe, Z. Armer Juka, anëtar i Këshillit Drejtues, Zj. Eriola Mosko, Drejtore Kabineti, Z. Vasil Mitezi, Drejtor i Monitorimit dhe Inspektimit, dhe Z. Bledar Kazia, Drejtor Teknik, u zhvillua në vazhdën e Bilaterales së mbajtur në Budva më 28 shtator 2023 me z. Cosmas Zavazava, Drejtor i Zyrës së Zhvillimit të Telekomunikacioneve në ITU.
Një takim pune i natyres teknike shërbeu për të bërë një bilanc të avancimit të punës në çështjen e hartimit të termave të referencës për sistemin e ri të hartëzimit të broadband-it dhe përgatitjen e hapave të rradhës për mbështetjen dhe asistencën e ITU-së në reformën institucionale të rregullatorit dhe në sistemin e administrimit e monitorimit të frekuencave.