Categories
Njoftime Slideshow

Tiranë 7 Tetor 2025 – Takim i përfaqësuesve të AKEP me drejtuesit e PostEurop

Sot, në ambientet e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) u zhvillua një takim me përfaqësues të PostEurop. Në këtë takim të pranishëm nga AKEP ishin z. Bleron Dokle, Anëtar i Këshillit Drejtues, z. Lorenc Bako, Anëtar i Këshillit Drejtues, dhe z. Gazmir Mani, Drejtor i Drejtorisë Rregullatore dhe Mbikëqyrjes së Tregut. PostEurop u përfaqësua nga znj. Elena Fernández Rodríguez, Drejtuese e Bordit të Drejtorëve të PostEurop, dhe z. Botond Szebeny, Sekretar i Përgjithshëm i PostEurop, të shoqëruar nga z. Gjergj Hamiti dhe znj. Ermira Shtylla nga Posta Shqiptare SH.A.

Takimi shërbeu si një mundësi për njohje të ndërsjellë dhe diskutim mbi sfidat dhe zhvillimet e sektorit postar, në kuadër të shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira ndërmjet institucioneve rregullatore dhe përfaqësuesve të sektorit postar europian.. Gjatë diskutimeve u trajtuan çështje me rëndësi që lidhen me zhvillimet aktuale dhe sfidat e tregut postar, veçanërisht në kushtet e rritjes së tregtisë elektronike dhe ndryshimeve që ajo ka sjellë në mënyrën e ofrimit të shërbimeve postare.

Përfaqësuesit e AKEP prezantuan kuadrin ligjor që rregullon ofrimin e shërbimeve postare në Shqipëri, i cili është i harmonizuar me legjislacionin e Bashkimit Europian, si edhe masat që AKEP po ndërmerr për forcimin e mbikëqyrjes së tregut postar. U theksua se AKEP i ka kushtuar vëmendje të veçantë këtij sektori, përfshirë krijimin e një njësie të dedikuar që mbulon ofrimin e shërbimeve të këtij sektori dhe zbatimin e detyrimeve rregullatore.

Në vijim u evidentuan disa sfida që lidhen me funksionimin e tregut postar, përfshirë shqetësimet për informalitetin në ofrimin e shërbimeve postare dhe mungesën e një sistemi të plotë adresash, elemente që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e ofrimit të shërbimeve. AKEP informoi se po punon për hartimin e një plani masash për adresimin e këtyre problematikave, në bashkëpunim me operatorët postarë dhe institucionet përkatëse, me qëllim rritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimeve postare në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Gjithashtu, u diskutua problematika që lidhet me detyrimin për ndarjen e llogarive për ofrimin e Shërbimit Universal Postar dhe dorëzimin e objekteve postare në adresë.

Përfaqësuesit e PostEurop prezantuan rolin dhe funksionin e kësaj shoqate si organizatë që përfaqëson operatorët postarë të vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve fqinje, duke ndarë përvoja mbi sfidat e përbashkëta që përballen ofruesit e shërbimeve postare, të ndikuara nga rritja e tregtisë elektronike, konkurrenca nga platformat ndërkombëtare dhe zbatimi i detyrimeve rregullatore për Shërbimin Universal Postar. Ata ndanë gjithashtu përvojat e tyre mbi vështirësitë në mbajtjen e llogarive të ndara për ofrimin e këtij shërbimi, si edhe problematikat që lidhen me mungesën e një sistemi të standardizuar të adresave, të cilat janë të pranishme edhe në disa vende të tjera evropiane.

Në këtë kontekst, lidhur me këto dy pika përfaqësuesit e PostEurop shprehën gatishmërinë për bashkëpunim me AKEP dhe operatorët postarë shqiptarë, me qëllim shkëmbimin e praktikave të mira dhe eksperiencave të suksesshme në adresimin e çështjeve që lidhen me funksionimin e tregut postar dhe cilësinë e shërbimeve, me synim nxitjen e konkurrencës në sektorin postar shqiptar dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.