Më 12 dhe 13 mars, përfaqësues të AKEP morën pjesë në seminarin TAIEX të organizuar në Bruksel nga DG CONNECT dhe DG ENEST, në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE. Aktiviteti kishte në fokus prezantimin e zhvillimeve dhe zbatimit të Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA), si dhe mbështetjen e vendeve në zgjerim në fushën e rregullimit të platformave online.
Ky seminar u zhvillua në vijim të takimit të parë të mbajtur në qershor 2024 dhe mblodhi përfaqësues nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Ukraina, së bashku me përfaqësues të Komisionit Evropian, Koordinatorëve të Shërbimeve Digjiitale të shteteve anëtare, shoqërisë civile dhe ekspertë të TAIEX.
Gjatë seminarit, Komisioni prezantoi përditësimet mbi zbatimin e DSA-së në BE dhe diskutoi me pjesëmarrësit mbi rreziqet në zhvillim në mjedisin online, përfshirë përhapjen e përmbajtjes së paligjshme, shitjen e produkteve të pasigurta dhe rreziqet për mirëqenien e të miturve.
DSA përfaqëson një kuadër të rëndësishëm rregullator që synon mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve në internet dhe rregullimin e shërbimeve online si rrjetet sociale, tregjet digjitale dhe dyqanet e aplikacioneve.


