Zhvillimi i rrjeteve moderne të komunikimeve elektronike dhe ulja e kostove për ndërtimin e tyre ishin në fokus të takimit të organizuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) në bashkëpunim me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Takimi u zhvillua në kuadër të konsultimit të projektligjit “Për masat për zvogëlimin e kostove të ndërtimit të rrjeteve të komunikimeve elektronike me kapacitete shumë të larta” – Akti i Infrastrukturës Gigabit, një nismë që synon të krijojë kushte më të favorshme për shtrirjen e infrastrukturës digjitale në vend, në përputhje me standardet evropiane për zhvillimin e rrjeteve me kapacitete shumë të larta, si dhe harmonizimin e legjislacionit shqiptar me kuadrin rregullator të Bashkimit Evropian.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Enkelejda Muçaj, vlerësoi projektligjin si një hap të rëndësishëm në mbështetje të transformimit digjital dhe zhvillimit të infrastrukturës moderne elektronike.
Ndërkohë, Kryetari i AKEP, z. Gentian Sala, theksoi se ndërtimi i rrjeteve me kapacitete shumë të larta kërkon bashkëpunim të koordinuar institucional dhe një dialog të vazhdueshëm me operatorët dhe grupet e interesit, për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm dhe konkurrues të tregut.
Gjatë aktivitetit, përfaqësuesit e MIE prezantuan risitë kryesore të projektligjit, i cili transpozon në legjislacionin shqiptar Rregulloren (BE) 2024/1309 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit mbi masat për uljen e kostove të vendosjes së rrjeteve Gigabit.
Diskutimet u fokusuan në lehtësimin e procedurave për ndërtimin e rrjeteve VHCN (Very High Capacity Networks), koordinimin ndërinstitucional, standardet teknike dhe krijimin e një kuadri më efikas për zhvillimin e infrastrukturës së komunikimeve elektronike.
Përfaqësues të institucioneve, operatorëve dhe aktorëve të tregut paraqitën komente dhe sugjerime mbi projektligjin, në kuadër të procesit të konsultimit publik.
Projektligji është publikuar në Regjistrin Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike, si dhe në faqen zyrtare të MIE.
Konsultimi publik do të vijojë deri më 14 maj 2026.




