Categories
Njoftime Slideshow

TIRANË, 3 NËNTOR 2025 – ZHVILLOHET TAKIMI DIALOGUES MBI REFORMAT PËR ZHVILLIMIN E INFRASTRUKTURAVE DIGJITALE DHE PROCESIN E INTEGRIMIT NË BE “DREJT NJË SHOQËRIE GIGABIT”

Më 3 nëntor 2025, në Tiranë, u zhvillua Takimi Dialogues mbi reformat për zhvillimin e infrastrukturave digjitale dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian, me temë “Drejt një Shoqërie Gigabit”, organizuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).

Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues të institucioneve publike, pushtetit vendor, operatorë të komunikimeve elektronike, të cilët kontribuan me sugjerime dhe ide për përmirësimin e kuadrit rregullator dhe zbatimin e Rregullores Gigabit (GIA) në Shqipëri.

Takimi u zhvillua në kuadër të avancimit të Shqipërisë drejt përmbushjes së standardeve të BE-së në fushën e transformimit digjital dhe zhvillimit të rrjeteve me shpejtësi të lartë, si dhe në procesin e harmonizimit të kuadrit ligjor me Rregulloren e BE për Infrastrukturën Gigabit (GIA).

Në fjalët e hapjes, përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe AKEP theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në zbatimin e reformave që mundësojnë zhvillimin e rrjeteve moderne dhe krijimin e një ekosistemi të qëndrueshëm digjital në përputhje me prioritetet e procesit të integrimit europian.

Gjatë diskutimeve, u prezantua Agjenda e Reformave për Infrastrukturat Digjitale, u analizuan piketat përmbyllëse të Kapitullit 10 “Transformimi Digjital dhe Media”, si dhe u trajtuan çështje që lidhen me kuadrin ligjor dhe rregullator për zhvillimin e Broadband në Shqipëri.

Takimi u mbyll me konkluzione që nënvizuan domosdoshmërinë e një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat, për të mundësuar ndërtimin e një shoqërie digjitale të avancuar, gjithëpërfshirëse dhe në përputhje me standardet europiane.