Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka miratuar pak ditë më parë Rregulloren “Për zbatimin e regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm”, një akt i rëndësishëm nënligjor në zbatim të ligjit nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”.
Në vijim të këtij zhvillimi, AKEP organizoi një takim informues me operatorët e komunikimeve elektronike, me qëllim prezantimin e rregullores së re dhe diskutimin e aspekteve praktike të zbatimit të saj.
Ky takim synoi të informojë operatorët mbi kërkesat, detyrimet dhe procedurat e reja rregullatore, si dhe të nxisë një dialog të hapur mbi zbatimin efektiv të këtij kuadri të ri.
Në takim mori pjesë Kryetari i AKEP, z. Gentian Sala, si dhe përfaqësues të tjerë nga AKEP, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE), si dhe përfaqësues të operatorëve të komunikimeve elektronike.
Gjatë fjalës së tij, Kryetari i AKEP, z. Sala, theksoi se kjo rregullore përbën një nga aktet më të rëndësishme pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për komunikimet elektronike. Ai nënvizoi rëndësinë e zbatimit të saj në praktikë, duke e konsideruar këtë si hapin e parë drejt një kuadri rregullator më të konsoliduar dhe funksional.
Gjithashtu, z. Sala u shpreh se, ndonëse gjatë këtij viti ka pasur një mungesë relative të inspektimeve, synimi është që përmes një kuadri të qartë rregullator, edhe procesi i inspektimit të marrë një vlerë dhe efektivitet më të lartë.
Rregullorja synon të lehtësojë hyrjen në treg për operatorët, të forcojë konkurrencën dhe të garantojë ofrimin e shërbimeve në përputhje me standardet ligjore dhe mbrojtjen e përdoruesve.





