E ardhmja e rregullimit të komunikimeve elektronike, zhvillimi i teknologjive të reja dhe sfidat e transformimit digjital ishin në fokus të “International Regulatory Conference 2026”, konferencë ndërkombëtare e organizuar nga Agjencia për Komunikime Elektronike e Maqedonisë së Veriut (AEK).
Në këtë aktivitet, i cili mblodhi autoritete rregullatore, ekspertë të industrisë dhe përfaqësues institucionesh nga vende të ndryshme të Europës dhe rajonit, mori pjesë edhe Kryetari i AKEP, z. Gentian Sala, i cili u mirëprit nga Drejtori i Agjencisë për Komunikime Elektronike, z. Jeton Akiku, si dhe nga Kryetari i Komisionit të Agjencisë për Komunikime Elektronike, Prof. Dr. Orce Simov.
Gjatë konferencës u diskutua mbi zhvillimet më të fundit në sektorin e komunikimeve elektronike, sigurinë kibernetike, mbrojtjen e konsumatorit dhe nevojën për politika rregullatore që i përgjigjen ritmit të shpejtë të zhvillimit teknologjik.
Në kuadër të aktivitetit, z. Sala zhvilloi gjithashtu takime dhe shkëmbime me përfaqësues të autoriteteve homologe dhe partnerëve ndërkombëtarë, me fokus forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në sektor.
Pjesëmarrja e AKEP në forume të tilla ndërkombëtare kontribuon në ndjekjen e zhvillimeve më të avancuara europiane dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e komunikimeve elektronike dhe transformimit digjital.


