Forumi Global i Rregullatorëve GSR-26, organizuar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve dhe Autoriteti i Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit të Turqisë në Ankara, ka vijuar punimet me një panel të nivelit të lartë, i fokusuar në sfidat dhe zhvillimet e reja të epokës digjitale, përfshirë inteligjencën artificiale, 6G, teknologjitë hapësinore dhe ato kuantike, si edhe nevojën për kuadër rregullator më fleksibël dhe bashkëpunim më të gjerë ndërinstitucional.
Në panel mori pjesë Zv/Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Enkelejda Muçaj, ndërsa Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare vijoi ndjekjen nga afër të punimeve të forumit, i përfaqësuar nga Kryetari i Këshillit Drejtues, z. Gentian Sala, krahas përfaqësuesve të lartë të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve, Unionit Universal Postar, rregullatorëve europianë dhe kompanive ndërkombëtare të teknologjisë.
Gjatë diskutimeve, znj. Muçaj prezantoi zhvillimet dhe prioritetet e Shqipërisë në fushën e dixhitalizimit, si edhe masat rregullatore dhe teknike që po ndërmerren në bashkëpunim me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe partnerët ndërkombëtarë, me synim avancimin e mëtejshëm të sektorit dhe përafrimin me standardet më të zhvilluara ndërkombëtare.
Në kuadër të forumit, u zhvillua gjithashtu një takim me Sekretaren e Përgjithshme të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve, znj. Doreen Bogdan-Martin, ku morën pjesë zv. ministrja Enkelejda Muçaj dhe Kryetari i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, z. Gentian Sala.



