Categories
Njoftime Slideshow

AKEP zhvillon takim mbi projektin strategjik EAGLE për ndërlidhjen ndërkombëtare digjitale

Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), z. Gentian Sala, zhvilloi një takim me përfaqësues të ONE Albania, grupit 4iG si dhe Bankës Evropiane të Investimeve (EIB), në kuadër të projektit strategjik EAGLE (Egypt-Albania Gateway Link to Europe).

Takimi u zhvillua në ambientet e AKEP-it, në kuadër të vizitës së delegacionit në Shqipëri për vlerësimin paraprak të projektit, i cili parashikon ndërtimin e një kablloje nënujore me fibër optike ndërmjet Egjiptit dhe Shqipërisë, si pjesë e një korridori të ri ndërkombëtar të lidhjes digjitale mes Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Evropës.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e delegacionit prezantuan objektivat dhe komponentët kryesorë të projektit EAGLE, si dhe vizionin për zhvillimin e një infrastrukture moderne dhe të qëndrueshme të komunikimeve elektronike, që synon të forcojë rolin e Shqipërisë si një nyje e rëndësishme rajonale e ndërlidhjes digjitale.

Nga ana e tij, Kryetari i AKEP-it shprehu angazhimin e institucionit që drejton, për të mbështetur zhvillimin e infrastrukturave moderne të komunikimeve, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe standardet evropiane.

Bashkëbiseduesit ndanë vlerësimin se projekte të tilla strategjike kontribuojnë në rritjen e sigurisë dhe diversifikimit të rrugëve ndërkombëtare të transmetimit të të dhënave, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e ekosistemit digjital.

AKEP mbetet i angazhuar në promovimin e investimeve në rrjete dhe infrastruktura strategjike që forcojnë pozicionin e Shqipërisë në hartën ndërkombëtare të komunikimeve elektronike dhe kontribuojnë në zhvillimin e një tregu konkurrues, të sigurt dhe inovativ.