Categories
Njoftime Slideshow

AKEP në GSR-26 në Ankara, forumi global i rregullatorëve të komunikimeve elektronike

Rregullatorë, drejtues institucionesh, politikëbërës dhe përfaqësues të industrisë së teknologjisë e komunikimeve elektronike nga vende të ndryshme të botës janë mbledhur në Ankara në kuadër të Forumit Global të Rregullatorëve GSR-26, organizuar nga Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve (ITU) –  agjencia e specializuar e OKB-së për teknologjinë dhe komunikimet dhe Autoriteti i Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit të Turqisë (BTK).

Në këtë forum ndërkombëtar, AKEP u përfaqësua nga Kryetari i institucionit, z. Gentian Sala.

Diskutimet këtë vit u fokusuan te mënyra se si rregullimi duhet të ecë me të njëjtin ritëm si teknologjia: më pak barriera, më shumë inovacion, investime dhe akses në teknologjitë e reja digjitale.

Takimi u drejtua nga Sekretarja e Përgjithshme e ITU-së, Doreen Bogdan-Martin, së bashku me drejtuesit më të lartë të sektorit global të telekomunikacioneve dhe rregullimit.

Gjatë forumit, z. Sala përgëzoi Presidentin e BTK-së dhe njëkohësisht mikpritësin e GSR-26, z. Ömer Abdullah Karagözoğlu, të cilit i përcolli vlerësimet për organizimin.

Forumi Global i Rregullatorëve konsiderohet një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare për rregullatorët e komunikimeve elektronike dhe zhvillohet çdo vit si një platformë globale ku autoritetet rregullatore, politikëbërësit, kompanitë teknologjike dhe organizatat ndërkombëtare diskutojnë zhvillimet më të fundit dhe sfidat e sektorit digjital dhe të komunikimeve.